2025, rriten importet nga Kina, bien me BE-në dhe Turqinë
Të dhënat e INSTAT tregojnë rritje të fortë të importeve nga Kina, ndërsa importet nga BE-ja dhe Turqia u tkurrën.
Shqipëria po rrit me shpejtësi varësinë nga Kina për furnizimin me mallra, ndërkohë që importet nga partnerët tradicionalë, Bashkimi Evropian dhe Turqia, shënuan rënie gjatë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT. Gjatë vitit të kaluar, importet totale arritën në 887.2 miliardë lekë, me një tkurrje prej rreth 0.8 për qind krahasuar me vitin 2024.
Kjo rënie erdhi kryesisht si pasojë e tkurrjes së importeve nga Bashkimi Evropian, të cilat zbritën në 460.2 miliardë lekë, ose rreth 1.7 për qind më pak se një vit më parë. Në të kundërt, importet nga Kina shënuan rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke arritur vlerën e 118.8 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 21.6 për qind.
Ndërsa pesha e BE-së në strukturën e importeve po tkurret, Kina po zë një rol gjithnjë e më të madh, duke përbërë rreth 13.4 për qind të totalit të importeve në vitin 2025, nga 10.9 për qind që ishte kjo peshë në vitin 2024. Rritja e importeve kineze ndodhi në një vit kur vlera e përgjithshme e importeve ishte në rënie, duke treguar se Kina po shndërrohet në një furnizues gjithnjë e më dominues për ekonominë shqiptare.
Grupet kryesore të importeve nga Kina
Të dhënat më të detajuara tregojnë se makineritë dhe pajisjet përbëjnë zërin kryesor dhe kanë dhënë kontributin më të madh në rritjen e importeve nga Kina. Importet e këtij grupi janë rritur nga 49,001 milionë lekë në vitin 2024 në 59,334 milionë lekë në vitin 2025, me një shtesë prej mbi 10.3 miliardë lekësh, ose rreth 21 për qind.
Materialet e ndërtimit shënuan një nga rritjet më të forta relative, duke arritur mbi 19,087 miliardë lekë, ose rreth 48.8 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Burime nga tregu pohojnë se ky grup dominohet nga importet e hekurit, i cili më herët sigurohej kryesisht nga tregjet e Bashkimit Evropian dhe Turqisë.
Tekstilet dhe këpucët pësuan gjithashtu rritje të ndjeshme, nga 14,489 milionë lekë në 15,874 milionë lekë, ose 9.6 për qind më shumë. Kategoria “të tjera” u rrit nga 8,789 milionë lekë në 10,035 milionë lekë, me një rritje prej 14.2 për qind, duke reflektuar një zgjerim të shpërndarë në grupe më të vogla mallrash.
Produktet kimike nga Kina shënuan rritje prej 13.3 për qind, ndërsa prodhimet e drurit dhe mobiliet u rritën me mbi 25 për qind. Gjithashtu, importet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit nga Kina u rritën nga 1,777 milionë lekë në 2,093 milionë lekë, ose 17.8 për qind, duke treguar rritje të varësisë edhe për mallra të konsumit bazë.
Tendenca afatgjatë
Në krahasim me periudhën para pandemisë, importet nga Kina janë thuajse dyfishuar, nga 59.7 miliardë lekë në vitin 2019 në 118.8 miliardë lekë në vitin 2025. Arsyeja kryesore lidhet me konkurrencën në çmime që ofrojnë mallrat kineze në raport me ato të tregjeve evropiane, duke i bërë ato më tërheqëse për importuesit vendas.